top of page

Titulli: "Mendje të hapura, jo bisturi të mëdha – Anatomia e një revolucioni"

  • Writer: Dr. Leon Kaza
    Dr. Leon Kaza
  • Aug 4
  • 3 min read

Updated: Aug 10

Në historinë e mjekësisë, revolucionet e vërteta nuk ndodhin me zhurmë. Ato lindin zakonisht në heshtje – në laboratorë të thjeshtë, në salla operacioni të nënvlerësuara, në mendjet e atyre që guxojnë të shohin përtej normës. Kjo është historia e një prej atyre burrave: Prof. Dr. Kurt Semm, gjinekolog gjerman, i cili hodhi themelet e kirurgjisë laparaskopike moderne dhe përballoi një ortek refuzimesh, përpara se bota të përkulej para tij e ta quante “pionier”.


Në vitin 1980, Semm ndërmori një hap të pashembullt për kohën që do të ndryshonte përgjithmonë historinë e kirurgjisë: realizoi apendektominë e parë laparoskopike në botë. Jo me bisturi të madhe, jo me prerje të gjëra, por me kamera dhe instrumente fine përmes prerjesh prej pak milimetrash. Në vend që të duartrokitej për këtë arritje, ai u tall, u përçmua dhe u margjinalizua. Kolegë kirurgë e quajtën të rrezikshëm, ndërsa disa të tjerë kërkuan që të vlerësohej nga psikiatri pasi vetëm një person jo normal mund të tentonte realizimin e proçedurave të tilla.


Revistat kirurgjikale refuzuan të botonin punën e tij. Shoqatat ndërkombëtare nuk e ftuan në konferenca ndërsa ju mohua e drejta të trajnonte mjekët rezidentë. Sigurisht kjo ndodhte sepse ai propozonte diçka shumë përpara kohës së tij. Dhe sepse mjekësia, ashtu si çdo sistem i ndërtuar mbi hierarki dhe traditë, shpesh ka frikë nga rregullat që thyhen.


Por historia ka një sens të vonuar drejtësie. Vetëm shtatë vjet më vonë pas suksesit ndërkombëtar të kolecistektomisë laparoskopike nga Philippe Mouret në Francë (1987), teknika e Semm-it u pranua si standard i ri kirurgjikal. Spitalet që dikur e përjashtonin filluan të ndërtonin salla laparaskopie. Studentët që nuk lejohej ta dëgjonin, rendnin pas tij pasi kishin kuptuar se Kurt Semm ishte një vizionar që guxoi të sfidonte një sistem të mbyllur në vetvete. Ai nuk luftoi për ego, por për t’u dhënë pacientëve më pak dhimbje, rikuperim më të shpejtë dhe ndërhyrje më të sigurta.


Kurt Semm nuk ishte i vetmi mjek vizionar që u përballë me murin e refuzimit. Ignaz Semmelweis, obstetër nga Hungaria, në mesin e shekullit XIX, insistonte që mjekët të lajnë duart para lindjes pasi kishte zbuluar lidhjen mes infeksioneve puerperale dhe mungesës së higjienës. Ai u përqesh, u përjashtua nga spitali dhe vdiq në një azil, ndërsa vetëm dekada më vonë u konsiderua “shpëtimtari i nënave”.

Virginia Apgar, e cila krijoi shkallën e vlerësimit të gjendjes së porsalindurit në minutat e para të jetës (Apgar score), fillimisht nuk u mor seriozisht nga kolegët burra në obstetrikë. Sot, asnjë lindje nuk monitorohet pa sistemin e saj.


Të gjithë këta mjekë patën një të përbashkët: ata menduan ndryshe kur të gjithë të tjerët mendonin njësoj. Dhe për këtë u ndëshkuan, përpara se të nderoheshin.


“Kirurgët nuk kanë nevojë për bisturi të mëdha, por për mendje të hapura.” – ishte shprehja e famshme e Kurt Semm. Dhe kishte të drejtë.


Sot, çdo kirurg që kryen një ndërhyrje laparaskopike, nga heqja e një miome deri te trajtimet komplekse të endometriozës, po ndjek gjurmët e Semm. Çdo paciente që përfiton nga një rikuperim i shpejtë, pa plagë të mëdha dhe me rezultate më të mira, është dëshmitare e heshtur e vizionit të tij.


Historia e Kurt Semm nuk është vetëm histori kirurgjie. Është histori karakteri, këmbënguljeje, është historia e të menduarit përtej bisturisë dhe mbi të gjitha, dëshmi se mjekësia nuk mund të ecë përpara pa guximin për të menduar ndryshe.

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page