top of page

Titulli: Inteligjenca artificiale në mjekësi - shpëtimtari absolut apo kërcënimi fatal?

  • Writer: Dr. Leon Kaza
    Dr. Leon Kaza
  • Sep 1
  • 4 min read

Përdoruesit e ChatGPT pësojnë një rënie prej 47% të aktivitetit nervor. Kjo e dhënë alarmuese u vërejt në një studim të fundit të Massachusetts Institute of Technology (MIT) mbi përdoruesit e ChatGPT. Në vend që të përmirësojë performancën mendore, përdorimi afatgjatë i inteligjencës artificiale (AI) mund ta reduktojë atë. Një grup studentësh u ndanë në përdorues dhe jo përdorues të ChatGPT duke ju dhënë të realizonin ese dhe detyra të ndryshme. Pas katër muajsh ndjekjeje konjitive dhe skanimeve të trurit, gjetjet ishin pak të thuash shqetësuese:

→ 83.3% nga grupi i studentëve që përdornin ChatGPT nuk mund të kujtonin as edhe një fjali që kishin shkruar vetëm disa çaste më parë.

Rezultatet e funksionit të trurit ranë nga 79 në 42 pikë. Kjo është një rënie prej 47% në aktivitetin nervor. Për më keq, edhe pasi ndaluan së përdoruri ChatGPT, ata përdorues përsëri treguan angazhim të ulët mendor. Pyetjet dhe dilemat që shtrohen edhe nën këndvështrimin e këtyre gjetjeve tashmë bëhen më të mprehta në një kohë kur AI po aplikohet gjithmonë e më shumë edhe në mjekësi. Madje deri në pikën ku dikush kalkulon se cili prej specialiteteve mund të zëvendësohet totalisht nga AI.

Në mjekësi janë përplasur gjithmonë për të gjetur një gjuhë të përbashkët ftohtësia e ekzaktësisë shkencore dhe ngjyrat e ngrohta të humanizmit. Jo më kot mjekësia pëcaktohet si shkencë dhe art. Sot, në këtë dialog, është shtuar një zë i ri: Inteligjenca Artificiale. Nuk është një zë i lindur nga përvoja njerëzore, por nga miliona rreshta kodesh dhe një fuqi llogaritëse që nuk njeh lodhje. Dhe megjithatë, ky zë numerik arrin të flasë për gjëra që lidhen me jetën dhe shëndetin, duke e bërë çdo hap të saj një terren të mbushur me shpresë dhe njëkohësisht me pyetje.

I. Premtimi i madh – kur AI bëhet aleat i mjekut


Në proçesin diagnostik AI është si një mikroskop i ri për mendjen – analizon miliona imazhe në sekonda, gjen modele të padukshme në skanime, parashikon përparimin e sëmundjeve ndoshta edhe para se simptomat të shfaqen. Në obstetrikë, AI po bëhet syri i tretë i mjekut: monitoron rrahjet fetale në kohë reale dhe analizon variacione të imëta që shpesh i shpëtojnë syrit njerëzor, duke paralajmëruar komplikacione si hipoksia apo vuajtja fetale. Në kujdesin para lindjes, algoritmet ndihmojnë në parashikimin e rreziqeve si preeklampsia apo lindja e parakohshme, duke i lejuar mjekut të ndërhyjë më herët dhe me më shumë saktësi. Në gjinekologji, AI ka hyrë fuqishëm në fushën e imazherisë: interpretimi i ekografisë për polipet, miomat apo endometriozën po bëhet më i shpejtë dhe më i standardizuar. Në onkogjinekologji, AI ndihmon në analizën histopatologjike dhe në identifikimin e ndryshimeve molekulare, duke ofruar trajtime të personalizuara. Edhe në kirurgjinë minimale invazive, algoritmet e asistuar nga realiteti i shtuar (AR) orientojnë kirurgun në kohë reale, duke e bërë ndërhyrjen më të sigurt dhe më efikase.

Por, përtej teknologjisë, fuqia e saj më e madhe është personalizimi:për çdo pacient një hartë unike, një rrugë e dizenjuar posaçërisht për të – nga doza e saktë e një ilaçi, te strategjia e trajtimit.



II. Vijat e holla – aty ku etika kërcënohet


Sa më shumë që afrohemi me këtë potencial, aq më e ndjeshme bëhet pyetja: deri ku duhet të shkojë AI-ja në mjekësi? Deri në çfarë niveli duhet ti besojmë dhe a duhet ti “dorëzohemi” inteligjencës artificiale? Dhe është pikërisht në këtë kontekst ku zonat gri të aplikimit të teknologjië shtohen më së shumti. Së pari lind një polemikë e lidhur me “privatësinë” – të dhënat shëndetësore nuk janë thjesht numra, por histori jete. Kush i mbron? Kush ka të drejtë t’i përdorë? Së dyti si duhet të qasemi ndaj “përgjegjësisë” – nëse një algoritëm gabon, kush mban përgjegjësi? Programuesi? Spitali? Apo asnjëri? Për më tepër aplikimi i fragmentuar i programeve a po na çon drejt cënimit të njërit prej themeleve të ekzistencës së kujdesit shëndetësor: “barazia” – a do të krijojë AI një hendek të ri mes klinikave të mëdha me resurse dhe qendrave shëndetësore të varfra? Këto nuk janë vetëm pyetje teorike, por pika kyçe ku vendoset nëse AI do të jetë një mjet emancipimi apo një armë e pabarazisë.

III. Teknologjia nuk mjekon vetëm – njeriu mbetet në qendër


AI mund të jetë kirurg virtual, diagnostikues i jashtëzakonshëm dhe arkitekt i planeve terapeutike, por nuk mund të zëvendësojë dorën që prek, syrin që jep shpresë, fjalën që qetëson. Kontakti mjek-pacient nuk është një variabël që programohet në një software kompjuterik për tu dhënë i gatshëm në situata ku mjekësia më shumë se shkencë është art, komunikim, shpresë. Për të arritur një ekuilibër të shëndetshëm na duhet edukim i thellë që i mëson mjekët ta përdorin AI-në si bashkëpunëtor, jo si zëvendësues që rrezikon të homogjenizojë mendimin njerëzor. Duhet rregullore etike, ku transparenca dhe përgjegjësia janë të padiskutueshme dhe të qarta. Dhe së fundmi por kryesorja mjekësia në misionin gati hyjnor si shërues nuk mund të funksionojë pa humanizëm, ndaj në këtë aspekt as që mund të diskutohet që teknologjia të marrë vendimin final po thjesht të mbështesë gjykimin mjekësor.

AI nuk është as shpëtimtari absolut dhe as kërcënimi fatal. Është një instrument, një violinë e fuqishme pjesë e një ansambli që mund të krijojë muzikë që shpëton jetë, ose një mjet akustik që krijon zhurmë që humbet kuptimin. Gjetja e balancës varet nga ne!

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page