Titulli: "Shërbimi i integruar në kohë dixhitale"
- Dr. Leon Kaza

- Aug 2, 2025
- 4 min read
Updated: Aug 3, 2025
Ishte korriku i vitit 2000 kur Karl Storz, kompania gjigande e prodhimit të instrumenteve endoskopike do të lançonte sallën kirurgjikale “inteligjente”, OR1. Kjo nuk ishte një sallë tradicionale, në të ndërthureshin komponentë të teknologjisë së lartë të ruajtjes dhe shpërndarjes në kohë reale të informacionit klinik, duke tejkaluar barrierat komunikative dhe hermetizimin mistik të tavolinës operatore. OR1 përmes një sistemi të integruar realizon shkëmbimin e informacionit mes departamenteve të ndryshme spitalore, duke mundësuar shpërndarjen e të dhënave klinike te pjesëtarët e ekipit mjekësor çka lejon stafin operator të ketë informacionin e nevojshëm në kohën e duhur.
Në vitin 2016 Karl Storz bashkëpunon me LiveData Inc, një kompani inovatore në zgjidhjet e inteligjencës teknologjike, duke perfeksionuar sistemin e OR1 dhe mundësuar ofruesve të kujdesit shëndetësor e jo vetëm, të planifikojnë, vizualizojnë dhe analizojnë udhëtimin kirugjikal të pacientëve.Sot kjo mënyrë të vepruari është kthyer nëmodus vivendi për profesionistët mjekësor, ndërkohë që kirurgjia live streaming dhe webinar-ët po zëvendësojnë metodat e vjetra deri diku të “mërzitshme” të edukimit në vazhdim duke lejuar mjekët kudo ata janë të kenë komunikim interaktiv me ekipin operator për të shkëmbyer opinione dhe performuar teknika të reja kirurgjikale.
Ndërkohë kirurgjia robotike, që ka shkëputur kontaktin fizik të pacientit me mjekun operator, dhe hologramet mjekësore që ofrojnë pamje 3D të organeve të brendshme ndoshta po shembin një tjetër kufi në mënyrën se si shëndetësia po vepron, ku largësia fizike është një variabël që ditë pas dite po i humbet vlera. Por a është realisht kështu, a i kundërvihet mjekësia dixhitale,ku pacienti përfaqëson një fluks të dhënash, mjekësisë tradicionale; konkretisht afërsisë fizike jo vetëm ndaj pacientit por dhe strukturës spitalore? Natyrisht që jo! Mjekësia mbi të gjitha është të dëgjosh, të prekësh, të shikosh!
Para pak kohe në spitalin e Lezhës filluan punimet për ndërtimin e maternitetit të ri. Një investim i shumëpritur, i munguar prej disa dekadash në spitalin tonë. Materniteti do ndërtohet brenda territorit të spitalit rajonal Lezhë, përkundër godinës aktuale e cila gjendet afro 2 km larg kompleksit spitalor. Kjo ka ngritur jo pak pyetje e dilema edhe në ambientin mjekësor. Pyetje të cilat duhet të na bëjnë të mendojmë pak më thellë mbi gjendjen e shërbimit obstetrik-gjinekologjik në vend.
Është e pakuptueshme se mbi ç’baza një grup godinash materniteti anë e mbanë Shqipërisë, si dhe dy maternitetet universitare u ndërtuan të izoluara, larg komplekseve spitalore. A ishte ky një eksperiment, veprim i bazuar në studime objektive, ose thjeshttregues i një mendësie të caktuar? Apo mos ndoshta ky vendim që përcakton ecurinë afatgjatë të një shërbimi ishte frut i egoizimit individualist? Për më tepër, a rezulton sot se strukturat spitalore të ndara ofrojnë shërbim më të mirë, të krahasueshëm me shërbimet homologenë vende fqinjë në këtë formë që funksionojnë?!
Ndërtimi i materniteteve larg komplekseve spitalore ka ndikuar në koracimin izolues të një shërbimi gjë që rrezikon të rezultojë në shërbim të cunguar nga njëra anë dhe ndoshta kufizim të kapacitetit profesional të profesionistëve shëndetësor nga ana tjetër. Ky mentalitet lidhur me shërbimin e obstetrikë-gjinekologjisë reflektohet qënë hapat e parë të formimit profesional të studentëve të FM, duke e perceptuar të ndarë e të aneksuar këtë shërbim. Por qasja multidisiplinare ndaj patologjive është thuajse e pamundur të realizohet në struktura të ndara ndërkohë që edhe specializimi i thelluar në një fushëështë i vështirë të realizohet në këtë mënyrë funksionimi. Është ndoshta kjo arsyeja pse mikrospecialitete të ndryshme të shërbimit të gjinekologjisë nuk kanë marrë vrullin e pritshëm të zhvillimit edhe në qendrat tona terciare. Fusha të caktuara kërkojnë punë në ekip, kërkojnë back-up të gatshëm për të arritur standardet e dëshiruara të trajtimit ku gjinekologu punon në grup me kirurgun, angiologun, urologun, ashtu si dhe me reparte të tjera të diagnostikës apo terapisë klinike. Konsultimet e gjëra, veprimtaria e përbashkët përbëjnë të zakonshmen dhe jo dukuri përjashtimore ku përplasen rastet e rënda nganjëherë edhe në mënyrëmosbesuese.
Safety first – siguria e para. Robert Liston ishte një kirurg i shquar skocez i viteve 1800. Në kohën kur anestezia nuk ekzistonte, në mbijetesën e pacientit vlerën kryesore e kishte shpejtësia në të operuar. Liston ishte i njohur për këtë cilësi, ai mund të amputonte një gjymtyrë në më pak se 2 minuta, e për këtë arsye Robert Liston kishte fituar cilësimin si bisturia më e shpejtë në perëndim. Por Liston nuk mbeti i njohur në historinë e mjekësisë vetëm për aftësitë e jashtëzakonshme kirurgjikale e as për faktin që ishte i pari që përdori anestezinë, por edhe se është i vetmi mjek që pati fatin e keq të kishte nivelin 300% të vdekshmërisë operatore. Gjatë një interventi, i obseduar nga shpejtësia në të operuar, Liston përpos gjymtyrës së pacientit, preu gishtin e asistentit.
Një nga spektatorët e afërt ndërroi jetë menjëherë nga frika e fluksit të gjakut që e përshkoi, ndërkohë që pacienti dhe asistenti patën përfundim fatal pas disa ditësh si pasojë e infeksionit. Mjegullnajat shekullore në zhvillimin e shkencës mjekësore nuk e kanë zbehur, por përkundrazi e kanë përforcuar parimin “primum non nocere”, parim i cili është kodifikuar në indikatorët e sigurisë spitalore, ndaj edhe shprehja më e dëgjuar në fjalorin e profesionistëve mbetet“safety first”, siguria e para.
Sot në shëndetësi po investohet. Si kurrë më parë, po ndërtohen godina të reja spitalore sipas standardeve bashkëkohore. Me një qasje të qartë të ministrisë së shëndetësisë drejt ofrimit të shërbimeve të integruara gjë që do të thotë më shumë siguri për pacientin e natyrisht cilësi më e mirë. A mos ndoshta këtë tren qasjeje duhet ta kapin edhe dy maternitetet në nivel terciar, duke menduar përfshirjen e tyre në komplekse spitalore multidisiplinare?!
Me shumë gjasa kështu do i jepnim prekjen e duhur një komunikimi të munguar, që ndër vite ka krijuar një ndasi që cilësisht rezulton në një hendek edhe në mendësi mes shërbimit në fjalë dhe specialiteteve të tjera, e përkthyer ndonjëherë në vonesa edhe me pasoja. Infrastruktura e përbashkët nuk shkon përkundër teknologjisë dixhitale të komunikimit, përkundrazi krijon terrenin e domosdoshëm ku kjo e fundit mundëson hopin cilësor kaq të pritshëm nga trupa e gjinekologëve aktivë dhe gjeneratat që do vijnë, me kërkesa dhe ide gjithnjë e më vizionare!
.png)

Comments