Kistet e vezoreve
- Dr. Leon Kaza

- Jul 20, 2025
- 3 min read
Updated: Jul 22, 2025
Çfarë janë, si shfaqen dhe kur duhet të shqetësoheni
Kistet e vezoreve janë formacione të mbushura me lëng (ose ndonjëherë me material gjysmë të ngurtë), që zhvillohen brenda ose mbi sipërfaqen e një ose të dy vezoreve. Ato janë shumë të zakonshme, veçanërisht tek gratë në moshë riprodhuese, dhe në pjesën më të madhe të rasteve janë beninje dhe kalimtare.

Mekanizmi i formimit
Gjatë ciklit menstrual, në vezore zhvillohet një folikul që përgatitet për ovulacion. Kur ovulacioni nuk ndodh siç duhet, ose kur pas ovulacionit korpus luteum nuk degjenerohet siç duhet, mund të formohen kiste funksionale. Kiste të tjera formohen për arsye të tjera, që nuk lidhen me ciklin menstrual.
Klasifikimi i kisteve
Kiste funksionale (më të shpeshtat)
Zhvillohen gjatë ciklit menstrual dhe zakonisht zhduken brenda disa javëve ose cikleve:
Kisti folikular – Kur vezorja nuk çliron vezën dhe folikuli vazhdon të rritet.
Kisti korpus luteum – Kur pas ovulacionit, pjesa e mbetur e folikulit nuk shpërbëhet siç duhet dhe mbushet me lëng.
Kiste patologjike beninje
Formohen pa lidhje me ciklin menstrual dhe kanë rrezik më të lartë për rritje, komplikacione apo nevojë për trajtim.
Kisti dermoid (teratoma e maturuar) – Përmban inde të ndryshme (flokë, yndyrë, dhëmbë). Beninj, por mund të bëhen të mëdhenj ose të shkaktojnë torsion.
Cistadenoma – Kist me origjinë nga qelizat epiteliale të vezores. Mund të jetë seroz ose mukoz. Rrallë shndërrohen në malinje.
Kist endometrioid (kist çokollatë) – Mbushur me gjak të vjetër, i lidhur me endometriozën. Mund të ndikojë në fertilitet.
Simptomat
Shumica e kisteve nuk japin simptoma dhe zbulohen rastësisht në ekografi. Megjithatë, nëse rriten ose shkaktojnë komplikacione, mund të shfaqen:
Dhimbje në njëra anë të barkut të poshtëm
Fryrje abdominale ose ndjesi e rëndesës
Dhimbje gjatë aktit seksual
Gjakderdhje e parregullt menstruale
Urinim i shpeshtë ose vështirësi në zbrazjen e plotë të fshikëzës
Të përziera, lodhje ose ndjesi e përgjithshme shqetësimi
Në rast të komplikimeve:
Rruptura e kistit – shkakton dhimbje të fortë, të menjëhershme dhe mund të kërkojë kujdes të menjëhershëm
Torsioni i vezores – kur kisti bën që vezorja të rrotullohet dhe të ndërpritet furnizimi me gjak; është urgjencë gjinekologjike
Diagnostikimi
Diagnoza zakonisht vendoset me:
Ekografi transvaginale – metoda më e përdorur për vlerësim të strukturës, madhësisë dhe përmbajtjes së kistit
Analiza gjaku – për të vlerësuar rrezikun për tumor (CA-125, HE4), nivelet hormonale etj.
MRI – në raste kur kërkohet vlerësim më i detajuar
Laparoskopi – diagnostike dhe terapeutike në disa raste
Trajtimi
Varet nga:
Mosha e pacientes
Madhësia dhe karakteristikat e kistit
Lloji (beninj apo i dyshimtë)
Simptomat
Dëshira për të ruajtur fertilitetin
Zgjedhjet terapeutike:
Vëzhgimi aktiv – për kistet e vegjël funksionalë pa simptoma
Përdorimi i kontraceptivëve oralë – për të rregulluar ciklin menstrual dhe për të parandaluar kistet e reja
Kirurgjia – nëse kisti është i madh, i qëndrueshëm, simptomatik, apo ka karakteristika të dyshimta
Cistektomia (heqje e kistit, ruajtje e vezores)
Ovarektomia (heqje e vezores – rrallë, në raste më serioze)
Kistet dhe fertiliteti
Shumica e kisteve nuk ndikojnë negativisht në fertilitet, përjashtuar ato të lidhura me:
Endometriozën
Sindromën e vezores policistike
Intervenimet kirurgjikale që mund të dëmtojnë indin vezor
Përfundim
Kistet e vezoreve janë të zakonshme dhe shpeshherë kalimtare. Megjithatë, nëse keni simptoma të pazakonta ose masa në zonën e barkut, është e rëndësishme të kryeni një kontroll gjinekologjik. Diagnostikimi dhe trajtimi i hershëm shmang komplikacione dhe ndihmon në ruajtjen e shëndetit riprodhues.




.png)

Comments