Histeroskopia
- Dr. Leon Kaza
- Jul 20
- 2 min read
Updated: Jul 22
Çfarë është histeroskopia?
Histeroskopia është një proçedurë mjekësore endoskopike që përdoret për të shqyrtuar dhe trajtuar problemet që lidhen me kavitetin e mitrës (brendësinë e saj). Ajo kryhet me ndihmën e një pajisjeje të quajtur histeroskop, një tub i hollë me një kamerë dhe burim drite në majë, që futet përmes vaginës dhe qafës së mitrës në mitër.
Histeroskopia mund të jetë:
Diagnostike – për të identifikuar
shkakun e simptomave.
Terapeutike – për të trajtuar problemet e gjetura gjatë ekzaminimit.
Kur rekomandohet histeroskopia?
Histeroskopia përdoret për të hetuar dhe/ose trajtuar:

Gjakderdhje të parregullta ose të shumta gjatë ciklit menstrual.
Gjakderdhje pas-menopauzës.
Humbje të përsëritura të shtatzënisë ose infertilitet të pashpjeguar.
Anomalitë strukturore të mitrës (si septumi uterin).
Polipe endometriale.
Fibroma submukozale – tumore beninje brenda mitrës.
Mbetje pas një aborti ose lindjeje.
Heqje ose verifikim të pozicionit të IUD-së (spirales).
Vlerësim pas rezultatit jo normal të biopsive ose PAP testit.
Si realizohet procedura?
Përgatitja:
Në disa raste, pacientes i jepet një mjekim për të zbutur qafën e mitrës.
Nuk kërkohet gjithmonë anestezi, por mund të përdoret anestetik lokal ose sedacion në varësi të llojit të procedurës. Histeroskopia diagnostike kryhet pa anestezi lokale, dhimbjet janë zakonisht të përballueshme të krahasueshme me dhimbjet e lehta të fluksit menstrual.
Proçedura:
Kryhet në pozicionin klasik gjinekologjik.
Pajisja futet përmes vaginës dhe qafës së mitrës.
Kaviteti i mitrës mbushet me solucion distendues, zakonisht solucion fiziologjik për të lejuar vizualizimin e kavitetit uterin.
Kamera dërgon pamjen në një monitor që mjeku e ndjek në kohë reale.
Kohëzgjatja:
Nga 5 deri në 30 minuta, varësisht nga qëllimi i procedurës (diagnostikim ose trajtim).
Llojet e histeroskopisë
Diagnostike: Përdoret për të shqyrtuar mitrën. Është e shpejtë dhe me pak shqetësim, shpesh kryhet pa anestezi.
Operative: Përfshin përdorimin e instrumenteve të veçantë të bashkangjitura në histeroskop për të hequr polipe, fibroma, septume ose inde të tjera problematike. Zakonisht kryhet në sallë operacioni me anestezi.
Rikuperimi pas procedurës
Pas histeroskopisë, shumica e grave përjetojnë krampe të lehta ose gjakderdhje të lehtë për disa ditë.
Rekomandohet të shmanget përdorimi i tamponëve dhe marrëdhëniet seksuale për disa ditë.
Pacientja mund të kthehet në aktivitetet normale shumë shpejt – zakonisht brenda një dite.
Rreziqet dhe efektet anësore (të rralla)
Histeroskopia është përgjithësisht e sigurt, por si çdo procedurë mjekësore, mund të shoqërohet me:
Infeksione të mitrës ose traktit urinar
Gjakderdhje e pazakontë
Reagim ndaj medikamenteve ose anestezisë
Dëmtime shumë të rralla të mitrës (perforim uterin)
Pyetje të shpeshta
A është histeroskopia e dhimbshme?
Shumë gra përjetojnë shqetësim të lehtë ose ngjashëm me dhimbjet menstruale. Me anestezi lokale ose qetësues, shqetësimi zvogëlohet.
A më pengon në fertilitet?
Jo – përkundrazi, në shumë raste përmirëson fertilitetin duke trajtuar anomali si polipet ose septet.
Kur është momenti më i mirë për ta bërë?
Zakonisht rekomandohet disa ditë pas përfundimit të ciklit menstrual, kur mukozat janë më të holla dhe pamja është më e qartë.
Comments