Fibromat uterine (Miomat)
- Dr. Leon Kaza

- Jul 20
- 3 min read
Updated: Jul 22
Çfarë janë fibromat uterine?
Fibromat uterine (miomat ose leiomiomat) janë tumore beninje të përbëra nga qeliza të muskulaturës së lëmuar të mitrës. Ato nuk janë kancerogjene dhe nuk përhapen jashtë mitrës, por në disa raste mund të shkaktojnë simptoma të konsiderueshme dhe të ndikojnë në cilësinë e jetës apo fertilitetin.

Sa të shpeshta janë?
Deri në 70-80% e grave mund të zhvillojnë fibroma uterine gjatë jetës së tyre. Ato prekin më shpesh gratë në dekadën e katërt të jetës. Janë më të zakonshme te gratë me histori familjare për fibroma, te ato me obezitet, apo me ekspozim më të gjatë ndaj estrogjenit.
Shkaqet dhe faktorët e rrezikut:
Nuk njihet një shkak i vetëm, por disa faktorë mund të ndikojnë:
Hormonet: Estrogjeni dhe progesteroni stimulojnë rritjen e tyre.
Gjenetika: Histori familjare rrit ndjeshëm probabilitetin.
Raca: Gratë me prejardhje afrikane i zhvillojnë më shpesh dhe në forma më të mëdha.
Mosha e hershme e menstruacioneve, mungesa e lindjeve, dieta e pasur me mish të kuq dhe alkooli janë gjithashtu faktorë të njohur që mund të kenë rol në zhvillimin e miomave uterine.
Llojet sipas vendndodhjes:
Submukoze – vendosen në kavitetin e mitrës, mund të japin gjakderdhje të çrregullt uterine si dhe të shkaktojnë infertilitet ose rritje të rrezikut për humbje të hershme të shtatzënisë.
Intramural – zhvillohen në murin e mitrës dhe mund të shkaktojnë dhimbje si dhe hemoragji të çregullt uterine.
Subseroze - zhvillohen në drejtim të sipërfaqes së jashtme të mitrës dhe në varëi të pozicionit mund të ndërhyjnë në funksionin e vezikës urinare ose zorrës së trashë.
Të pedunkuluar – lidhen me mitrën përmes një “këmbëze”, dhe mund të shkaktojnë dhimbje akute në rast torsionimi.
Simptomat klinike
Jo të gjitha gratë me fibroma kanë simptoma. Megjithatë, kur simptomat paraqiten, mund të përfshijnë:
Gjakderdhje menstruale e bollshme (menoragji)
Gjakderdhje në intervale të çrregullta
Dhimbje ose ndjesi presioni në zonën pelvike
Urinim i shpeshtë ose ndjesi e paplotësimit të fshikëzës
Konstipacion ose shtypje rektale
Dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale
Probleme me fertilitetin ose zhvillimin e shtatzënisë
Diagnostikimi:
Ekografia transvaginale – metoda e parë dhe më e zakonshme.
Ekografia transabdominale – për fibroma të mëdha ose subseroze.
Rezonanca Magnetike (MRI) – ndihmon për planifikim kirurgjikal dhe vlerësim të saktë të numrit, madhësisë dhe vendndodhjes.
Histeroskopia – për të vlerësuar direkt kavitetin endometrial, sidomos për fibroma submukoze.
Histerosalpingografia (HSG) – përdoret më rrallë, kryesisht në rastet me infertilitet.
Trajtimi
Trajtimi i fibromave varet nga mosha dhe dëshira për shtatzëni, madhësia, numri dhe vendndodhja e fibromave, intensiteti i simptomave, ritmi i rritjes së tyre.
Trajtimet jo kirurgjikale:
Mbikëqyrje klinike në rastet asimptomatike
Terapia hormonale:
Kontraceptivë oralë
Progestativë
Agonistë GnRH – ulje e përkohshme e fibromave (parakohë operacioni)
Antifibrinolitikë – për të reduktuar gjakderdhjen
Trajtimet kirurgjikale:
Miomektomia – heqje selektive e fibromave, ruhet mitra
Laparoskopike – për fibroma të mesme në murin mitral
Histeroskopike – për submukozet
Abdominale – për fibroma të mëdha ose të shumta
Histerektomia – heqje e mitrës, zgjidhje definitive për gratë që nuk dëshirojnë më shtatzëni
Alternativa moderne jo kirurgjikale:
Embolizimi i arterieve uterine (UAE) – teknika ndërhyrëse për të ndërprerë qarkullimin e gjakut drejt fibromës
Ablacioni me ultratinguj të fokusuar (MRgFUS) – përdorim i energjisë ultratinguj për të shkatërruar fibromat, nën kontrollin e MRI
Fibromat dhe fertiliteti
Fibromat submukoze dhe disa intramurale ndikojnë negativisht në fertilitet duke deformuar kavitetin uterin ose duke penguar implantimin. Heqja e fibromave (miomektomia) në raste të zgjedhura mund të përmirësojë ndjeshëm shanset për shtatzëni. Monitorimi është esencial në gratë me fibroma gjatë shtatzënisë për shkak të rritjes së rrezikut për abort, lindje të parakohshme ose anomalira të pozicionit fetal.
Përfundim
Fibromat uterine janë një ndër patologjitë më të zakonshme të sistemit riprodhues femëror. Pavarësisht natyrës së tyre beninje, ato kërkojnë një vlerësim të individualizuar, sidomos kur shfaqin simptoma apo ndikojnë në fertilitet.




.png)

Comments