top of page

Endometrioza

  • Writer: Dr. Leon Kaza
    Dr. Leon Kaza
  • Jul 20
  • 3 min read

Updated: Jul 22


Çfarë është Endometrioza?

 

Endometrioza është një sëmundje inflamatore kronike, në të cilën indi që mbulon pjesën e brendshme të mitrës (i quajtur endometrium), zhvillohet jashtë mitrës. Ky ind edhe pse i vendosur jashtë pozicionit normal reagon ndaj ndryshimeve ciklike hormonale njësoj si endometri i zakonshëm: rritet, gjakos dhe përpiqet të eliminohet. Por ndodhur jashtë mitrës dhe pa rrugë daljeje, ky gjak shkakton inflamacion, dhimbje dhe formim të ngjitjeve mes organeve të brendshme.

ree

 

Zonat më të shpeshta ku lokalizohet endometrioza janë:

  • Vezoret

  • Tubat fallopiane

  • Sipërfaqja e jashtme e mitrës

  • Zorrët

  • Fshikëza urinare

  • Hapësira rektouterine

 

Në raste të rralla, mund të shfaqet edhe në mushkëri ose në plagë kirurgjikale të mëparshme.

 

 

Shkaqet dhe faktorët e rrezikut

 

Shkaku i saktë i endometriozës nuk dihet plotësisht, por janë propozuar disa teori:

  • Menstruacioni retrograd: rrjedhja e gjakut menstrual përmes tubave fallopiane në kavitetin abdominal.

  • Çrregullimet hormonale: veçanërisht nivele të larta të estrogjenit.

  • Trashëgimia familjare: gratë që kanë nëna ose motra me endometriozë kanë më shumë gjasa ta zhvillojnë.

  • Çrregullimet e sistemit imunitar: që nuk arrin të eleminojë indin e vendosur në zona jonormale.

  • Transformimi i qelizave: disa qeliza të ashtuquajtura burimore jashtë mitrës mund të shndërrohen në ind të ngjashëm me endometrin.

 

 

Simptomat e endometriozës

 

Simptomat mund të ndryshojnë nga një paciente te tjetra. Disa gra mund të mos kenë fare simptoma, ndërsa të tjera përjetojnë:

  • Dhimbje shumë të forta gjatë menstruacioneve

  • Dhimbje gjatë ose pas marrëdhënieve seksuale

  • Dhimbje gjatë urinimit ose jashtëqitjes, veçanërisht gjatë ciklit

  • Gjakderdhje jashtë ciklit menstrual

  • Fryrje, kapsllëk, nauze dhe lodhje të përgjithshme

  • Vështirësi për të mbetur shtatzënë

 

Shënim: Mungesa e simptomave nuk përjashton praninë e endometriozës.

 

Si diagnostikohet?

 

Diagnostikimi shpesh është sfidues dhe mund të marrë disa vite. Të dhëna të ndryshme tregojnë se mund të kalojnë mesatarisht 7 vite nga fillimi i shenjave deri në vendosjen e diagnozës dhe pacientja mund të ekzaminohet nga 4 – 5 mjekë gjinekologë deri në identifikimin e diagnozës. Mjetet më të zakonshme përfshijnë:

  • Marrja e historikut të plotë të simptomave

  • Ekzaminim gjinekologjik

  • Ekografi transvaginale për të parë kiste të mundshme dhe lezione tipike për endometriozë.

  • Rezonancë magnetike (MRI) në raste të caktuara

  • Laparoskopi – proçedura kirurgjikale mini-invazive që deri para disa vitesh cilësohej si standardi i artë në konfirmimin e diagnozës. Aktualisht diagnoza vendoset në qendra reference për diagnozën dhe trajtimin e endometriozës përmes ekografisë dhe/ose MRI nga mjekë të dedikuar në diagnostikimin e endometriozës.

 

Trajtimi i endometriozës

 

Trajtimi përcaktohet bazuar në simptomat, dëshirën për të pasur fëmijë, dhe shkallën e përhapjes së sëmundjes.

 

Trajtimi medikamentoz

  • Medikamentet kundër dhimbjes si ibuprofeni

  • Kontraceptivë hormonalë (tableta, rreth, injeksione)

  • Progestinë ose spirale hormonale

  • Agjentë që ulin prodhimin e estrogjenit

 

Trajtimi kirurgjikal

  • Laparoskopia për të hequr lezione, kiste, ose ngjitje

  • Në raste të rënda: histerektomi (heqja e mitrës) – vetëm si zgjidhje e fundit dhe e diskutuar me kujdes.

 

Endometrioza dhe fertiliteti

 

Endometrioza është një nga shkaqet më të zakonshme të infertilitetit. Mund të ndikojë në:

  • Lëvizjen normale të vezës përmes tubave fallopiane

  • Cilësinë e vezëve

  • Implantimin e embrionit

  • Strukturën normale të organeve riprodhuese

  • Në këto raste, ndihma nga një specialist fertiliteti ose teknikat si IVF mund të jenë të nevojshme.

 

 

Këshilla praktike për pacientet

 

  • Mbani një ditar të simptomave për të ndihmuar mjekun

  • Kujdesuni për dietën anti-inflamatore: më pak sheqerna dhe ushqime të përpunuara

  • Praktikoni aktivitet fizik të moderuar, yoga ose terapi fizike

  • Kërkoni mbështetje emocionale kur ndiheni të lodhura ose të izoluar

 

Kur duhet të drejtoheni tek mjeku?

 

  • Kur dhimbja menstruale është e fortë dhe e përsëritur

  • Kur keni marrëdhënie seksuale të dhimbshme

  • Kur nuk mbeteni shtatzënë pas disa muajsh përpjekjesh

  • Kur simptomat ndikojnë në cilësinë e jetës suaj.

 

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page