Adenomioza
- Dr. Leon Kaza
- Jul 18
- 2 min read
Updated: Jul 24
Dhimbje. Gjakderdhje. Inflamacion i heshtur në murin e mitrës
Çfarë është adenomioza?
Adenomioza është një gjendje ku indet e ngjashme me endometrin (shtresa e brendshme e mitrës) rriten brenda murit muskulor të mitrës (miometrium). Kjo rritje e pazakonshme shkakton:
trashje të murit të mitrës
inflamacion kronik
dhimbje dhe gjakderdhje të çrregullta
Ajo shpesh bashkëjeton me endometriozën, por ndryshe nga ajo, adenomioza është e kufizuar brenda trupit të mitrës.

Cilat janë simptomat?
Jo të gjitha gratë me adenomiozë kanë simptoma, por kur ato paraqiten, shpesh përfshijnë:
Menstruacione shumë të bollshme (menorragji)
Gjakderdhje ndërmenstruale ose para ciklit
Dhimbje të forta menstruale (dismenorre)
Dhimbje pelvike kronike
Ndjesi rëndese ose presioni në fund të barkut
Vështirësi në mbetje shtatzënë (në disa raste)
Pse ndodh adenomioza?
Shkaku i saktë nuk është plotësisht i kuptuar, por disa teori përfshijnë:
Dëmtim i murit të mitrës pas ndërhyrjeve (cezarianë, kuretazhe)
Ndryshime hormonale, veçanërisht estrogjeni
Invaginimi i endometriosit në miometër
Inflamacion i përsëritur i mitrës
Mosha më e shpeshtë e diagnozës është 35–50 vjeç, por mund të ndodhë edhe te gratë më të reja, sidomos pas lindjes ose ndërhyrjeve uterine.
Si diagnostikohet adenomioza?
Diagnoza bazohet në:
Anamnezë të detajuar dhe ekzaminim fizik
Ekografi transvaginale, ku mund të vërehen: trashje fokale ose difuze e murit të mitrës zonë “mishnore” pa konture të qarta, heterogjenitet në miometër
Rezonanca magnetike (MRI) – shumë e saktë në dallimin nga fibromat
Histologjia – vetëm pas heqjes së mitrës, konfirmon diagnozën me siguri
Si trajtohet adenomioza?
Trajtimi medikamentoz
Kontraceptivë hormonalë – rregullojnë ciklin dhe ulin rrjedhjet
Mirena® (IUD me levonorgestrel) – efekt lokal i fuqishëm në zvogëlimin e simptomave
Agonistët e GnRH – ulje e përkohshme e aktivitetit hormonal, shpesh me efekte anësore
NSAID (anti-inflamatorë) – për kontrollin e dhimbjes.
Trajtimi kirurgjikal
Ablacioni endometrial – në raste të zgjedhura, por jo efikas në adenomiozën e thellë
Ekscizion fokal (në adenomiozën fokale)
Histerektomia – opsioni përfundimtar në rastet kur simptomat janë të rënda dhe rezistente ndaj trajtimit konservativ.
Trajtimi në gratë që kërkojnë shtatzëni
Në gratë me infertilitet, vlerësohet me kujdes shkalla e adenomiozës. Laparoskopia mund të ndihmojë në diferencimin nga endometrioza dhe trajtimin e bashkëpatologjive. Mjekimi hormonal afatshkurtër mund të përdoret para FIV për përmirësimin e rezultateve
Adenomioza dhe fertiliteti
Adenomioza mund të ulë shanset për konceptim spontan, veçanërisht në format difuze. Ajo ndikon negativisht në implantimin embrional dhe funksionimin e miometrit. Trajtimi hormonal para cikleve të FIV mund të përmirësojë rezultatet. Në rastet fokale, mund të merren në konsideratë intervenime kirurgjikale të konservuara
Pse është diagnostikimi i hershëm i rëndësishëm?
Parandalon përparimin e gjendjes
Zbut simptomat që ndikojnë në cilësinë e jetës
Përmirëson menaxhimin e fertilitetit në kohë
Shmang ndërhyrje të panevojshme në raste që mund të trajtohen konservativisht
Comments