Shtatzënia Jashtë Mitre (Ektopike)
- Dr. Leon Kaza

- Jul 20, 2025
- 2 min read
Updated: Jul 24, 2025
Një gjendje urgjente që kërkon vëmendje të menjëhershme
Çfarë është shtatzënia jashtë mitre?
Shtatzënia jashtë mitre, ose siç njihet ndryshe shtatzënia ektopike, ndodh kur veza e fekonduar vendoset jashtë kavitetit të mitrës – zakonisht në njërin nga tubat fallop, por mund të ndodhë edhe në vende të tjera si vezoret, qafa e mitrës ose kaviteti abdominal. Për shkak se këto struktura nuk janë të përshtatshme për të mbështetur zhvillimin e një shtatzënie, ajo nuk mund të përparojë normalisht dhe rrezikon shëndetin e gruas.

Ku vendoset zakonisht veza e fekonduar?
Tubat fallop (95%) – shtatzëni tubare
Vezoret (3%)
Qafa e mitrës (1%)
Kaviteti abdominal (më rrallë)
Këto vende nuk ofrojnë mbështetjen e nevojshme për zhvillimin e placentës, furnizimin me gjak apo rritjen e fetusit.
Pse është e rrezikshme?
Nëse shtatzënia vazhdon jashtë mitrës, struktura ku është vendosur nuk është elastike dhe për pasojë mund të rupturohet. Kjo mund të çojë në:
Hemorragji të brendshme masive
Shok hemorragjik
Rrezik serioz për jetën e gruas
Nevojë për ndërhyrje kirurgjikale emergjente
Si e dalloj shtatzëninë jashtë mitre?
Simptomat e hershme përfshijnë:
Dhimbje të mprehta ose të vazhdueshme në njërën anë të barkut
Gjakderdhje vaginale e pazakontë ose e errët
Marramendje, lodhje ekstreme ose ndjesi rënieje
Ndjesi sikur të fiketi (shenjë e humbjes së gjakut)
Dhimbje në shpatull (shenja e irritimit të diafragmës nga gjakderdhja)
Por disa gra nuk kanë fare simptoma në fazat e para – ndaj vizita dhe ekografia e hershme janë thelbësore në çdo shtatzëni.
Diagnostikimi
Diagnoza bazohet në kombinimin e:
Testit të gjakut për beta-hCG
Nivelet nuk rriten normalisht si në shtatzëninë brenda mitrës.
Ekokrafisë transvaginale
Përdoret për të vlerësuar nëse embrioni ndodhet në mitër apo jashtë saj.
Ekzaminimit fizik
Për të vlerësuar dhimbjen, ndjeshmërinë dhe praninë e masave.
Faktorët që rrisin rrezikun
Infeksione të mëparshme në tubat fallop (p.sh. salpingjiti)
Sëmundjet seksualisht të transmetueshme (si klamidia, gonorrea)
Historia me shtatzëni jashtë mitre më parë
Kirurgji në zonën e legenit ose tubave
Përdorimi i fertilizimit in vitro (IVF)
Përdorimi i spirales (IUD)
Endometrioza
Duhanpirja aktive
Trajtimi
Trajtim medikamentoz – Methotrexate
Bllokon ndarjen e qelizave embrionale.
Aplikohet vetëm kur shtatzënia nuk është rupturuar, embrioni është i vogël dhe nuk ka komplikacione të tjera.
Monitorim me analiza gjaku për disa javë derisa nivelet e hCG të bien.
Trajtim kirurgjikal
Laparoskopia është metoda më e përdorur – heq ose riparon tubin fallop.
Laparotomia – në rastet më të rënda me hemorragji.
Në disa raste ruhet tubi, në të tjera hiqet nëse është i dëmtuar rëndë.
A mund të kem një shtatzëni të shëndetshme në të ardhmen?
Po – shumë gra që kanë pasur një shtatzëni ektopike arrijnë të ngelen shtatzënë normalisht më vonë. Por duhet të mbani parasysh:
Rreziku i përsëritjes është më i lartë (rreth 10–15%)
Këshillohet ekografi e hershme në çdo shtatzëni të re (për të përjashtuar ektopinë)
Nëse është hequr një tub fallop, shtatzënia mund të ndodhë nga tuba tjetër
Si të kujdeseni pas trajtimit?
Pushoni për disa ditë pas ndërhyrjes
Shmangni aktivitetin fizik të rëndë derisa të rikuperoheni
Mos planifikoni një shtatzëni të re për 3–6 muaj
Ndiqni këshillat e mjekut për ndjekje dhe rikthimin në fertilitet




.png)

Comments